Blerim Vela emërohet Shef i Stafit të Presidentes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka emëruar Shef të Kabinetit të saj, Blerim Velën.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se Vela ka një përvojë 20 vjeçare në fushën e qeverisjes.

“Blerim Vela ka përvojë profesionale 20 vjeçare në fushën e qeverisjes demokratike, politikës së jashtme dhe parlamentarizmit. Ka punuar kryesisht me organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, UNDP-në dhe Këshillin e Evropës. Ai ka këshilluar parlamentet dhe qeveritë e vendeve të ndryshme në  Evropë Lindore, Lindje të Mesme, Azi Qendrore, Kaukaz, Karaibe dhe Ishujt e Paqësorit”, shkruan Osmani.

Ajo bëri të ditur po ashtu se “Vela është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin e Sussex-it në Britaninë e Madhe, Departamenti i Politikës, aty ku edhe ka përfunduar magjistraturën në fushën e politikës evropiane”.

“Studimet në nivelin Baçellor i ka përfunduar në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Më herët ka ligjëruar në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe Universitetin e Sussex-it. Blerimi jeton në Prishtinë së bashku me gruan Shqipen dhe djalin Malin. Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, ndërsa ka njohuri të avancuara të gjuhës serbe dhe asaj maqedonase”, shkruan Osmani.

 

Të ngjashme