Bota përgatitet për vaksinën për COVID-19, Kosova ende pa atë të gripit sezonal

 Bota përgatitet për vaksinën për COVID-19, Kosova ende pa atë të gripit sezonal

Në Kosovë ende nuk ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal. Ndonëse në muajin shtator është thënë se janë siguruar 160 mijë e 500 doza të vaksinës kundër gripit, që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

 

Por këto vaksina dhe 5800 të tjera pritet të arrijnë në Kosovë tek javën e ardhshme.

Kështu kanë thënë për lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë.

“Vaksinat 160 e 500 plus 5800 të tjera pritet të vijnë javën tjetër në Kosovë, me që të njëjtat janë nisur për Kosovë”,  thuhet në përgjigjen e MSH-së dërguar lajmi.net.

Ndërsa lidhur me vonesat, se pse Kosova ende nuk është pajisur me vaksinë kundër gripit sezonal, nga MSH-ja kanë thënë se kjo ka ndodhur për shkak të situatës me COVID-19.

“Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ngarkesës që kjo situatë ka sjellë në shumë shtete, në shumë vende janë shfaqur sfida si në sigurimin, prokurimin dhe transportin e vaksinave. Po ashtu, vaksinat kërkojnë kushte të caktuara për inspektimin e paradorëzimit dhe më pas dërgimin, në mënyrë që të ruhet cilësia e lartë”, thotë MSH.

Mbi 160 mijë doza të vaksinave kundër gripit sezonal tashmë janë siguruar përmes UNICEF-it, derisa pjesa tjetër do të blihen sapo të shpallet fituesi i tenderit, që kjo ministri ka shpallur tashmë.

Por, dy tenderë të shpallur me herët për këtë kanë dështuar për shkak të tejkalimit të buxhetit.

Mirëpo, ky aktivitet është duke u ritenderuar për herën e tretë. Pas dështimit për dy herë radhazi, tani sasia është zvogëluar vetëm në 50,000 vaksina.

“Duke pas parasysh se është ritender dhe afatet kohore qe marrin procedurat e tenderimit deri ne kontraktim, shkurtimi i afatit ne 15 ditë është i domosdoshëm qe te arrihet furnizimi dhe vaksinimi këtë vit, gjithashtu procedura është e zakonshme dhe nuk ka kritere specifike qe mund tua vështirësojnë ofertimin operatorëve ekonomik”, thuhet në njoftimin për ritender në Prokurim.

Megjithëkëtë mund të dështoj edhe kjo ofertë, kjo pasi tenderi është i hapur dhe jo i negociuar. Dihet që në ofertat e hapura në shumtën e herëve kompanitë garuese shfaqin pakënaqësi dhe ushtrojnë  ankesa. Dhe shqyrtimi i ankesave zgjat me javë të tëra.

Ndryshe, këtë vit është paraparë të vaksinohen rreth 500 mijë njerëz kundër gripit sezonal

Të ngjashme