Gati 100 milionë raste me Coronavirus në botë

 Gati 100 milionë raste me Coronavirus në botë

Bota po i afrohet shifrës prej 100 milionë rastesh të diagnostikuara me koronavirus.

Universiteti Johns Hopkins njoftoi sot se numri i të infektuarve i ka kaluar 98 milionë vetë dhe se COVID-i ka shkaktuar mbi 2 milionë vdekje.

Ekspertët shpresojnë se me ngrohjen e motit në hemisferën veriore, do të ulet vala e infeksioneve.

Të premten, vendet evropiane u tronditën nga njoftimi i kompanisë farmaceutike AstraZeneca se nuk do të arrinte të përmbushte premtimet për dërgimin e sasisë fillestare të vaksinave.

Kompania njoftoi përmes një deklarate se si rezultat i problemeve në sistemin e furnizimeve, nuk ka arritur të prodhojë ende sasinë e parashikuar.

Edhe kompania Pfizer\BioNTech ka njoftuar vonesa në përmbushjen e dërgesave të premtuara gjë që po ngadalëson ritmet e vaksinimit.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Joe Biden ka nënshkruar urdhra të rinj ekzekutivë për të ndihmuar amerikanët e goditur rëndë ekonomikisht nga pandemia.

Fushata e vaksinimeve në SHBA ka hasur në disa probleme përfshirë në infrastrukturën e shpërndarjes, dështime institucionale si dhe mungesa në furnizimet me vaksina duke anuluar planet për imunizim të shumë amerikanëve. \ VOA

Të ngjashme