Instituti GAP: Mosardhja e diasporës në Kosovë me pasoja për ekonominë e vendit

 Instituti GAP: Mosardhja e diasporës në Kosovë me pasoja për ekonominë e vendit

Mosardhja dhe qëndrimi i shkurtër i diasporës në Kosovë ka pasoja të dukshme në ekonominë e vendit, duke ndikuar negativisht në sektorët e ndryshëm.

Kështu thuhet në raportin “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”, të prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), shkruan Telegrafi.

Sipas hulumtimit, në një kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e vendit vazhdon të mbetet i madh.

“Përveç remitencave të cilat kanë shënuar rritje gjatë pandemisë COVID-19, rënie vërehet në investimet e diasporës në patundshmëri në Kosovë dhe blerje të gjësendeve për familjarët. Ajo çfarë mbetet më me ndikim për ekonominë tonë, janë të hyrat nga shpenzimet që bën diaspora gjatë vizitave në Kosovë, e të cilat kanë rënë ndjeshëm. Para pandemisë, shpenzimet e diasporës gjatë vizitave llogaritej të kapnin vlerën mbi 328 milionë euro apo 4.6 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto në vit. Ndërsa këtë vit, përfitimi pritet të jetë i vogël, rreth 0.55 për qind deri 1.83 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto”, thuhet në raport.

GAP thotë se, në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali financiar i diasporës, Kosova duhet të hartojë politika që nxisin ridestinimin e remitencave drejt investimeve dhe kursimit, duke krijuar platforma investuese apo emituar obligacione qeveritare për diasporën, të ulet kosto e transferit të remitencave dhe të rriten programet mbi edukimin financiar të familjeve pranuese të remitencave.

“Qeveria e Kosovës duhet ta finalizojë regjistrin e diasporës, i cili duhet të përmbajë fushat e tyre të punës, përvojën profesionale dhe gatishmërinë për zhvendosje të përkohshme, të krijohen rrjete profesionale dhe plane me qëllime konkrete për inkuadrimin e diasporës në ekonomi dhe të përmirësohet ambienti i biznesit me theks në forcimin e sundimit të ligjit, të drejtave të pronësisë intelektuale dhe transparencës”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.

Rënia e të hyrave në ekonomi nga mos ardhja e diasporës në Kosovë në vitin 2020 | Burimi: Instituti GAP duke përdorur të dhënat e ANP, MF, OECD, ASK-UNDP dhe BKS

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Telegrafin kishte paralajmëruar se, mosardhja e diasporës në Kosovë, rrezikon që në mos sjelljen e një miliardë eurove të tjera nga shpenzimet e tyre.

“Nëse i referohemi vitit të kaluar, të hyrat nga remitencat kanë qentë 875 milionë euro ose në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto janë 12 për qind. Pritjet tona janë që remitencat të kenë rënie diku 14.1 për qind, gjatë këtij viti. Por, ne e kemi edhe kategori që diaspora i bënë në Kosovë, ne i quajmë shpenzime të udhëtimit, ku kjo shumë është rreth një miliard euro. Mos ardhja e tyre në Kosovë do ta rrezikonte këtë shumën prej një miliard euro”, kishte thënë Mehmeti.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin gusht 2020, diaspora ka dërguar rreth 7 milionë euro më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se në muajin gusht 2020, në Kosovë u sollën 80.6 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 73.8 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, rreth 60 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Të ngjashme