Lajme nga Haga: Specialja lejon liderët e UÇK-së të festojnë Pavarësinë e Kosovës

 Lajme nga Haga: Specialja lejon liderët e UÇK-së të festojnë Pavarësinë e Kosovës

Sot, për nder të 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ish-krerët e UÇK-së, të cilët këtë vit ndodhen në Hagë, do të kenë mundësi, nga Specialja, që të mblidhen dhe të festojnë.

Gjykata Speciale ka thënë për Expressin se ata mund të mblidhen sot për ta festuar përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mënyra e festës do të varet tërësisht nga të paraburgosurit, thotë gjykata.

“Brenda kërkesave të përcaktuara nga këto rregulla, u takon tërësisht të paraburgosurve të vendosin se si do të donin ta festonin Ditën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Tutje, gjykata me seli në Hagë ka treguar se si e kalojnë ditën të akuzuarit që po qëndrojnë në paraburgim. Ata mund të mblidhen bashkë edhe gjatë vakteve të ushqimit, sipas rregullave për funksionimin e përditshëm të mjediseve të paraburgimit.

“Të paraburgosurve u lejohet qasja ditore në ajër të pastër dhe ushtrime fizike, si dhe mundësia për të marrë pjesë në aktivitete të tjera të përshtatshme rekreative. Atyre u lejohet të lexojnë dhe shkruajnë materiale dhe kanë qasje në një bibliotekë që përmban libra, revista dhe gazeta në gjuhët e tyre amtare. Përveç kësaj, ata kanë mundësi të përdorin programe radio dhe televizive dhe mund të marrin pjesë në shërbimet fetare ose shpirtërore të disponueshme. Të paraburgosurit në paraburgim të KSC kanë mundësinë të kalojnë kohë së bashku, përfshirë edhe për vaktet e ushqimit”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Shtatë të akuzuarit e parë të Speciales, pesë prej të cilëve me aktakuzë të konfirmuar, janë ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit të kaluar. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë ishin katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor 2020, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Të ngjashme