Rasti “Call Center”, Prokuroria sekuestron rreth 2.4 milionë euro

Rreth 2.4 milionë euro janë sekuestruar dhe ngrirë nga organet e drejtësisë për rastin “Call Center”.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Speciale.

“Aksioni i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, i nisur më 31 mars 2021, në disa “Call center” në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, “Prokuroria Speciale njofton se nga aksioni Policisë së Kosovës, i realizuar më datë 5 prill, janë gjetur dhe sekuestruar një milion e pesëqind e njëzetenëntë mijë e shtatëqindepesëdhjetë (1.529.750.00) euro, para këto të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e  “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.

Në të njëjtën komunikatë thuhet se nga data 31 mars 2021 e deri më sot nga ky operacion i Prokurorisë Speciale janë gjetur dhe sekuestruar një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntëmijë e shtatëqind e pesëdhjetë (1.689.750.00) euro, janë ngrirë shtatëqind mijë (700.000) euro, janë sekuestruar nëntë (9) vetura, janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale.

Të ngjashme