Studim: Shenjat e kuqe në qiellzë mund të jenë simptomë e re e koronavirusit

 Studim: Shenjat e kuqe në qiellzë mund të jenë simptomë e re e koronavirusit

Pikat e kuqe në pjesën e brendshme të gojës mund të jenë simptomë e re e koronavirusit, sipas një studimi të realizuar në Spanjë.

Hulumtuesit zbuluan se një e treta e pacientëve me koronavirus që kishin irritim të lëkurës së duarve dhe këmbëve gjithashtu kishin pika të kuqe në qiellzën e gojës, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, disa prej këtyre shenjave u shfaqën rreth dy javë pasi njerëzit kishin përjetuar simptoma më të njohura të virusit, siç janë temperatura dhe shkurtimi i frymëmarrjes.

Ekipi i shkencëtarëve në Spitalin Universitar të Madridit “Ramon y Cajal” thanë se mjekët dhe infermierët duhet t’ua kontrollojnë gojën personave të dyshuar për koronavirus për të parë nëse ata i kanë këto shenja.

Në fillim të përhapjes së pandemisë, Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i kishte zyrtarisht në listë vetëm tri simptoma të koronavirusit. Ato ishin temperatura e lartë, kollitja dhe shkurtimi i frymëmarrjes.

Sidoqoftë, në prill, ky institucion e zgjeroi listën dhe përshiu edhe simptoma të tjera, si dridhja e trupit, dhimbja muskulore, dhimbja e kokës, dhimbja e fytit si dhe humbja e aftësisë për t’i dalluar shijet dhe aromat.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se sa më shumë që të mësohet për virusin e ri, aq më shumë simptoma mund të zbulohen.

Të ngjashme