Vietnami raporton viktimën e parë nga coronavirusi

 Vietnami raporton viktimën e parë nga coronavirusi

Media shtetërore në Vietnam konfirmoi se një pacient i infektuar me coronavirus, ka vdekur.

Kjo është viktima e parë e raportuar në këtë vend me 97 milionë banorë.

Vietnami ka pasur sukses në menaxhimin e situatës me coronavirus, pasi ka mbyllur kufijtë dhe ka aplikuar një strategji të karantinës dhe testimit masiv.

Ky vend ka regjistruar vetëm pak qindra raste në mars dhe prill dhe ka kaluar gati 100 ditë pa asnjë rast të ri, edhe pse ka kufi të gjatë me Kinën, vendin e origjinës së coronavirusit.

Por, javën e kaluar, një shpërthim i rasteve në Da Nang, qytet turistik në bregdet, ka shkaktuar alarm, pasi origjina e tyre nuk është identifikuar ende.

Autoritetet po përpiqen ta ndalojnë shpërthimin dhe kanë dërguar personel shtesë mjekësor në Da Nang.

Në kryeqytetin Hanoi është rritur numri i testimeve, ndërsa janë ndaluar tubimet.

Në gjithë vendin, numri i rasteve ka arritur në 509.

Në aspektin global, ndërkaq, coronavirusi ka prekur mbi 17 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 670 mijë kanë vdekur, ndërsa mbi 10 milionë janë shëruar. /Rel/

Të ngjashme