Vitia: Varianti britanik po sulmon më shumë të rinjtë, prandaj u shtua nevoja për marrjen e masave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se gjendja nëpër spitalet e Kosovës është mjaft e rëndë, ndërkaq theksoi se brenda pak ditësh, sipas parashikimeve të profesionistëve shëndetësor, numri i pacientëve nëpër spitale do të shkojë mbi 1 mijë.

Vitia theksoi se varianti britanik i coronavirusit po sulmon më shumë personat e rinj në moshë, prandaj edhe ishte urgjente marrja e masave.

“Mbi 97 për qind e mostrave kanë rezultuar pozitiv me variantin britanik dhe e ndryshon situatën epidemiologjike. Ky variant është dëshmuar se është shumë më shpërndarës, varianti britanik i virusit sulmon më shumë të rinjtë dhe të rejat sesa varianti klasik i coronavirusit, kjo ka shtuar edhe nevojën për ndërmarrjen e masave sa më shpejt. Një nga arsyet e intervinimit të mbylljes së shkollave është ky variant. Varianti ka shtuar shqetësimet dhe ka rritur alarmin”, tha Vitia gjatë konferencës.

Ministri Vitia gjatë konferencës tha se edhe fushata elektorale ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve.

“Gjendja në spitalet tona është e rëndë. Sipas projeksioneve të profesionistëve shëndetësor nëse shkojmë më këtë ritëm brenda pak ditësh numri i të shtrirëve në spitalet tona do të kalojë mbi 1 mijë”, u shpreh Vitia.

Vitia, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, pranoi se fushatat elektorale ndikoi në rritjen e numrit të rasteve me COVID.

Sipas tij, çdo tubim masiv ndikon në shpërndarjen e infektimit.

“Një pjesë tjetër e qytetarëve më të drejtë kanë fajësuar fushatën elektorale për rritjen e rasteve të infektimit. Edhe kjo është e vërtetë. Çfarëdo tubimi masiv është super shpërndarës”, deklaroi ai. 

Të ngjashme